Protestë në Mitrovicën e Veriut në mbështetje të Vuçiqit
Qindra qytetarë serbë kanë protestuar në qendër të Mitrovicës së Veriut në mbështetje të institucioneve shtetërore të Serbisë, përballë demonstratave të vazhdueshme që po zhvillohen prej nëntë muajsh në qytete të ndryshme të Serbisë kundër qeverisë aktuale.
Protestuesit mbanin pankarta dhe një baner të madh me mbishkrimin: “Mitrovica e do një Serbi stabile dhe të fortë”, duke theksuar kërkesën për unitet dhe kundërshtinë ndaj bllokadave të organizuara nga pjesëtarë të opozitës dhe studentëve në Serbi.
Sipas mediave lokale serbe në tubim ishin të pranishëm edhe përfaqësues dhe liderë të Listës Serbe, partisë kryesore politike të serbëve në Kosovë, raporton rtk.
Në këtë tubim janë parë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, nënkryetari Igor Simiq, si dhe kandidatët për kryetarë të komunave në veri, Milan Radojeviq, Dragishaa Miloviq dhe Milosh Peroviq.
Për mbarëvajtjen e tubimit janë parë njësitet e Policisë së Kosovës, të cilat kanë qenë të pranishme për të siguruar rendin dhe sigurinë publike.
Ngjarje të ngjashme janë mbajtur edhe në disa qytete të Serbisë gjatë ditës së shtunë. Protestuesit në këto qytete kanë deklaruar se përfaqësojnë qytetarë të zakonshëm që janë kundër veprimeve të opozitës, të cilat i konsiderojnë si destabilizuese. Megjithatë, në disa nga qytetet më të mëdha të Serbisë nuk janë raportuar marshime apo tubime./Periskopi/



