BE për Sorensenin në Beograd: Përgatitje për takim mes kryenegociatorëve

BE për Sorensenin në Beograd: Përgatitje për takim mes kryenegociatorëve

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen është duke përgatitur një takim të ri Kryenegociatorëve të dy vendeve.

Kështu bëjnë të ditur nga zyra e BE-së për Periskopin, ku tregojnë ndër të tjera se ky takim pritet të ndodhë në periudhën më të afërt të mundshme.

“Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Sorensen po viziton Beogradin në përgatitje të një takimi të ardhshëm të Kryenegociatorëve në periudhën më të afërt të mundshme”, u shprehën nga zyra e BE-së për Periskopin.

Ndryshe, I dërguari i BE-së për dialogun kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me zyrtarët kosovarë kishte diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.

Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023.

Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.

Dokumenti prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohjen reciproke të simboleve shtetërore, shmangien e bllokimit nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe detyrimin që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.

Rundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, u mbajt më 10 qershor.

Shpërndaje në: