Basha: Fondet për UÇK-në erdhën nga trafikantët e drogës që operonin nëpër Evropën Perëndimore dhe SHBA
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha në vitin 2012 me një hulumtim skandaloz kishte përfshirë UÇK-në me botën e krimit. Basha si bashkëautor, kishte shkruar se UÇK-ja ishte financuar nga trafikuesit e drogës që në emër të saj kishin blerë armë.
“Me qëllim që UÇK-ja të armatosej, duhej sasi e madhe e parave. UÇK-ja nuk përkrahej zyrtarisht nga ndonjë shtet dhe duhej të varej nga burimet alternative. Sipas rasteve të hulumtuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarët e zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin nëpër Evropën Perëndimore dhe SHBA. Kjo përkrahje nuk ishte kufizuar vetëm në para, por trafikantët e drogës dërguan edhe burra të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe po blinin armë në emër të saj”, thuhej më tej në këtë hulumtim skandaloz të Bashës.
“Për lidhjet mes UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore në Gjermani, Itali, Belgjikë dhe Republikën Çeke që sugjerojnë për lidhje mes trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhej më tej në “hulumtimin” e tani kryeparlamentarit.



