Qytetarët komentojnë zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar: Person i gabuar
“T’ia shohësh CV-në e tij, ai kishte të kryer disa shkolla në Amerikë, në Angli”, “Është person i paqëlluar”, shprehen qytetarët e Kosovës lidhur me zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit. Ata kanë mendime të ndryshme nëse Basha është zgjidhja e duhur për të udhëhequr kuvendin.
Bajram Shalaku thotë se Dimal Basha është zgjedhja e duhur dhe e domosdoshme. Sipas tij, Basha ka përgatitjen e duhur akademike për të qenë në këtë pozitë.
Ndryshe nga Shalaku, qytetari Hakif Hajdini thotë se zgjedhja e Dimal Bashës ka qenë shumë e paqëlluar, pasi sipas tij, ai ka përdorur fjalor të ashpër në të kaluarën.
Besa kur është zgjedhur një fanellë e kemi shqyer, thotë Ardian Krasniqi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pas katër muajve bllokadë. Porse, sipas tij këtë post e ka marrë njeriu i gabuar, derisa iu referohet Dimal Bashës, raporton KosovaPress.
Ai përmend raportimin e mediave se kryeparlamentari Dimal Basha ka marrë pjesë në një punim shkencor, ku ndër të tjera shkruhet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq, qytetari Mirsad Krasniqi thotë se duhet dhënë një shans Bashës. Krahas kësaj, sipas tij nëse dalin të vërteta lajmet se ai ka shkruar kundër UCK-së, nuk ka çfarë të kërkon në kuvend.
Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryeparlamentar, mediat raportuan për një punim shkencor të vitit 2012, që mban emrin e tij si bashkautor, për çka thuhet se përmban shkrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas kësaj, pati shumë reagime nga subjektet e tjera politike dhe organizatat e dala nga lufta. Organizata e Veteranëve të UÇK-së kërkoi shkarkimin e Bashës. Madje edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, shprehu keqardhje për votën e tij për Bashën, duke thënë se nuk kishte ditur për ekzistencën e këtij punimi dhe se, sikur të kishte qenë i informuar, nuk do të kishte votuar pro.
Më 26 gusht, 73 vota pro, 30 kundër dhe tre abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.Dimal Basha, i lindur në vitin 1979 në Prishtinë – jeton në Ferizaj, është zgjedhur tri herë deputet i Kuvendit të Kosovës. Më parë ka qenë anëtar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacionin, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.



