Në një botë që ndahet mes dy boshteve, Kosova duhet të zgjedhë pa hezitim SHBA`të
Shkruan: Faton Bislimi
Presidenti i Serbisë mori pjesë në një paradë ushtarake në Kinë — krah për krah me përfaqësues të Rusisë, Koresë së Veriut dhe vendeve që përfaqësojnë boshtin e ri autoritar global. Nuk ishte një vizitë protokollare. Ishte një deklaratë politike me ngjyrime të qarta ideologjike e strategjike: Serbia po e thellon partneritetin e saj me shtetet që sfidojnë rendin demokratik perëndimor.
Ndërkohë, Kosova — shteti me popullin më pro-amerikan në Europë dhe simbol i ndërhyrjes humanitare të NATO-s — rrezikon të mbetet e paqartë dhe e hutuar në pozicionin e saj ndërkombëtar, për shkak të mungesës së unitetit të brendshëm dhe mjegullës strategjike në lidershipin e tanishëm.
Në një kohë kur bota po ndahet gjithnjë e më qartë midis dy boshtesh – atij ruso-kinez, që promovon autoritarizmin dhe përmbysjen e vlerave demokratike, dhe atij euro-atlantik, që mbron lirinë, sovranitetin dhe të drejtat e njeriut – Kosova nuk ka luksin të qëndrojë neutrale apo konfuze. Aleanca me SHBA-në nuk është luks – është mbijetesë.
Që nga dita e parë e përfshirjes sime në çështjen e Kosovës në Washington, e kam kuptuar një gjë me qartësi të plotë: SHBA-të nuk janë vetëm aleati ynë strategjik – janë arkitekti i shtetit tonë. Pa Amerikën, nuk do të kishte NATO më 1999, nuk do të kishte pavarësi më 2008, dhe nuk do të kishte përkrahje në sfidat që kemi përballuar.
Por sot, kjo aleancë ka nevojë të ripërtërihet – jo në fjalë, por në vepra. Nuk mund të kërkojmë mbështetjen e SHBA-ve, nëse sjellja jonë politike prodhon vetëm përçarje të brendshme dhe konfuzion ndërkombëtar.
Ne nuk mund të jemi partnerë strategjikë me Amerikën, ndërkohë që minojnë kredibilitetin tonë ndërkombëtar.
Serbia po zgjedh anën e gabuar të historisë – Kosova duhet të zgjedhë të kundërtën!
Pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën e Pekinit është simbolikë e rrezikshme për rajonin. Ajo nuk është e rastësishme. Ajo tregon qartë se Serbia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pozicionet e saj revanshiste, por kërkon të forcohet përmes lidhjeve me Moskën dhe Pekinin – dy qendra të fuqishme anti-NATO dhe anti-perëndimore.
Kjo duhet të shërbejë si zgjim për të gjithë ne: rajoni i Ballkanit është sërish në fokusin e përplasjes globale mes dy botëve. Fundja siç e ka thënë edhe Samuel Huntington, vijat e përthyerjes së civilizimeve kalon mu përmes tokave tona. Dhe Kosova nuk guxon të mbetet e papërcaktuar, pa vizion dhe pa një lidership që di të orientojë qartë shtetin.
Ky është momenti për kthjellje dhe për përgjegjësi, assesi për ndasi!
Kjo krizë globale nuk është një krizë larg nesh. Ajo është edhe e jona. Sepse nëse Kosova nuk tregon pjekuri politike, rrezikon të humbasë jo vetëm besimin e miqve, por edhe drejtimin si shtet.
Nuk është koha për protagonizma personale. Nuk është koha për debate boshe. Është koha për bashkim institucional, për maturi shtetërore dhe për një rikthim strategjik të Kosovës në qendër të vëmendjes së SHBA-ve dhe Perëndimit.
Për këtë, vendit i duhet një lidership që flet me zë të besuar në Washington, që njihet në Berlin, Londër e Bruksel – dhe që ka integritet, përvojë dhe vizion për të udhëhequr në kohë krize.
Për më shumë se 20 vjet, kam folur për Kosovën – në Kongresin Amerikan, në universitete të mëdha, në tryeza ku është vendosur e ardhmja jonë. Dhe këtë nuk e kam bërë për të ndërtuar karrierë personale, por sepse e kam ndier si detyrë të shenjtë ndaj popullit tim.
Por sot, në këtë moment kritik për vendin, nuk mjafton më vetëm të flasësh. Duhet të veprosh.
Kosova ka nevojë për zë të qartë. Për përfaqësim të denjë. Për udhëheqje që e di ku qëndron historia dhe në cilin krah duhet të qëndrojë Kosova.
Zgjedhja është e thjeshtë – por kërkon vizion dhe urtësi!
Ne kemi dy opsione përpara:
1. Të rrëshqasim drejt një zone gri politike e diplomatike, ku miqtë tanë lodhen dhe armiqtë tanë forcohen.
2. Ose të ringrihemi me dinjitet, të rifillojmë bashkëpunimin serioz me SHBA-në dhe të forcojmë pozicionin tonë si aleat i palëkundur i botës demokratike.
Unë besoj te opsioni i dytë. Dhe jam po angazhohem për të, më shumë se kurrë më parë.
Koha për të ndërtuar një kapitull të ri për Kosovën është tani!
Kosova nuk ka nevojë për liderë që ndjekin frymën e ditës. Ka nevojë për vizionarë që e ndiejnë peshën e historisë dhe përgjegjësinë për të ardhmen.
Tani është momenti të vendosim: A do të jemi pjesë e botës që na ndihmoi të çlirohemi dhe të ndërtojmë shtetin, apo do të rrezikojmë të izolohemi në një rajon që afrohet gjithnjë e më shumë me vlerat e errësirës?
Unë besoj se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm. Ata e dijnë kush janë miqtë tanë të vërtetë. E dijnë çfarë përfaqëson Amerika për ne. Dhe e dijnë që e ardhmja e Kosovës është në Perëndim. Dhe ajo fillon me një lidership të ri, të përgjegjshëm dhe me vizion.
Kosova duhet të zgjedhë qartë, pa hezitim: Demokracinë, miqësinë me SHBA-të, dhe një udhëheqje që qëndron për këto vlera.
Ky është angazhimi im.
Faton Bislimi është ish-Deputet i Kosovës dhe avokues i kauzës kombëtare në Washington, DC.



