Imri Ahmeti për Qeverinë: Nuk ka pasur bashkëpunim financiar, ndihma e vetme ndërtimi i një ure
Në një intervistë për Periskopin, kandidati i LDK-së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti, ka folur për mungesën e mbështetjes financiare nga niveli qendror gjatë dy-tre viteve të fundit, duke theksuar se përjashtim bën vetëm një projekt i këtij viti.
“Nuk kemi pasur ndonjë ndihmë financiare ose bashkëfinancim të asnjë lloj projekti. Dy tri vitet e fundit, këtë vit e kemi një urë, bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës në një vlerë vetëm 75 mijë euro i ka ministria, tjerat janë prapë mjete të komunës,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai gjithashtu ka theksuar sfidat që po përballen komunat, përfshirë ekzekutimet nga përmbaruesit privat, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në buxhetin e Lipjanit.
“Në fakt kemi pasur edhe pengesa të natyrave të ndryshme, p.sh komunat këtë rast Lipjani ballafaqohemi me ekzekutimet nga përmbaruesit privat, që ndodhin për shkak të kontratave kolektive dhe ne deri tash vetëm këtë vit janë marrë 2 milion euro nga thesari,” tha ai.
Ahmeti vlerëson se ka pasur një trajtim të pabarabartë nga ana e Qeverisë karshi komunave, gjë që, sipas tij, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në punën në terren.
“Konsideroj se ka pasur një lloj dallimi nga qeveria për komunat dhe kjo natyrisht që ka pasur implikimet e veta në terren,” përfundoi Ahmeti.
Imri Ahmeti: Lipjani ndër komunat më të mira në vend për menaxhimin financiar dhe transparencën



