Pezullimi i Dialogut Strategjik, Haziri: “Shuplaka” e SHBA’së duhet të dëgjohet nga Presidentja dhe Kuvendi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të Ambasadës Amerikane për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik për Kosovën.
Haziri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ‘shuplakën’ e Uashingtonit për qeverinë Kurti duhet ta dëgjoj presidentja, por edhe Kuvendi
“Ka tri vjet që aleati më i madh dhe mbështetësi i pakusht, SHBA, ka nënvizuar marrëdhëniet e pakushtëzuara, mbështetjen e pakushtëzuar dhe progresin e dëshiruar për popullin e Kosovës. Por, ka kërkuar në mënyrë decidive veprime të qeverisë për të gjithë qytetarët e saj, e cila e solli punën deri këtu: Populli mbetet i mbrojtur nga qeveria amerikane, por jo kjo Qeveri dhe kryeministri në detyrë kabineti i tij”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Ai ka thënë se ka kohë që jemi bërë lajm i keq për vendime të këqija, veprime të dëmshme e mosbashkëpunim, por askush nuk e ka pritur këtë ditë.
“Kjo ‘shuplakë’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet shumë. Duhet ta dëgjoj presidentja e para, por edhe Kuvendi. Roli historik dhe amaneti i përhershëm është: marrëdhënie speciale me SHBA-të. Duhet veprim për të ruajtur këtë mision. ‘Ku e lamë, e ku na mbeti’!”, ka shkruar Haziri./Periskopi/



