“Këta nuk i raportojnë Kosovës” – Behrami reagon pasi shefi i EULEX-it emëroi një gjyqtar në Gjykatën Speciale

“Këta nuk i raportojnë Kosovës” – Behrami reagon pasi shefi i EULEX-it emëroi një gjyqtar në Gjykatën Speciale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pas emërimit të një gjyqtari të ri në Dhomat e Specializuara në Hagë, me vendim të shefit të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Dhomat e Specializuara në Hagë mbrëmë kanë njoftuar se Barbano ka emëruar gjyqtarin Kristofer Gosnel, për ta zëvendësuar gjyqtarin Kenet Roberts, i cili dha dorëheqje pak ditë më parë.

“Gjeneralmajor Xhovani Pietro Barbano (Giovanni Pietro Barbano) emëroi gjykatësin Kristofer Gosnel (Christopher Gosnell) (Kanada) në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë (Regjistri) në përputhje me nenin 28(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Më të njëjtën ditë, gjykatësi Gosnel bëri betimin solemn”, thuhej në njoftimin e tyre.

E pikërisht për emërimin e Gosnel me urdhër të Barbanos ka reaguar deputeti Behrami.

Sipas tij, Gjykata Speciale nuk i raporton institucioneve të Kosovës, por EULEX-it dhe UNMIK-ut.

“Për ata që ende mendojnë se Gjykata Speciale është e Kosovës: shikoni se si shefi i EULEX-it i emëron gjykatësit e Speciales. Prandaj këta nuk u raportojnë institucioneve të Kosovës, por u raportojnë EULEX-it dhe UNMIK-ut”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Megjithatë kjo nuk është hera e parë që shefat e EULEX-it kanë emëruar gjyqtarët e Dhomave të Specializuara.

Kjo për shkak se sipas ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar shefi i EULEX-it është përcaktuar si “Autoriteti Emërues” për gjyqtarët nënë Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë.

Shpërndaje në: