Sami Lushtaku për pamfletin e Dimal Bashës për UÇK’në: Është gjuha e njëjtë me serbët e Beogradit

Sami Lushtaku për pamfletin e Dimal Bashës për UÇK’në: Është gjuha e njëjtë me serbët e Beogradit

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe njëherit kandidati për kryetar të kësaj komune nga Partia Demokratike e Kosovës, Sami Lushtaku, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se nuk ka qenë i kënaqur me vendimin e partisë së tij për të votuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën të Vetëvendosjes.

“Unë mendoj se Dimal Basha është fytyra e vërtetë e Vetëvendosjes. Secilin vendim që merr Partia Demokratike e Kosovës, unë e përkrahi dhe e mbështes, por i kënaqur nuk kam qenë realisht. Vendimi i kryetarit të partisë dhe i kryesisë së partisë duhet të respektohet me çdo kusht; kjo është diçka tjetër, sa na pëlqen apo nuk na pëlqen Dimal Basha. Për mua, Dimal Basha e tregon fytyrën e vërtetë të Vetëvendosjes, sepse pjesa më e madhe e atyre që sot e drejtojnë Vetëvendosjen janë të tillë. Secili prej tyre është më anti-UÇK se tjetri. E ke ministrin e Financave, mos të hyjmë t’i numërojmë”, ka thënë Lushtaku në një intervistë për Periskopin.

Duke folur për punimin shkencor të Dimal Bashës, që e paraqet UÇK-në si organizatë kriminale, Lushtaku ka thënë se është e njëjta gjuhë që përdorën serbët në Beograd.

“Mendoj që edhe unë dhe qytetarët, e sidomos pjesëtarët e UÇK-së, ndoshta nuk e kemi pritur një gjuhë të tillë nga Dimal Basha. Veprimet që ka bërë gjatë katër viteve që unë e kam përcjellë Dimal Bashën kanë çuar në atë drejtim që ai e ka bërë shkrimin kundër UÇK-së. Ajo që ka ndodhur me Dimal Bashën dhe me një pjesë të Vetëvendosjes është gjuha që kanë përdorur dhe e përdorin serbët në Beograd. Është e njëjta gjuhë, realisht”, ka thënë Lushtaku. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: