Shukri Buja: Lipjani do të bëhet destinacion turistik, jo më vetëm pikë tranziti
Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar planin e tij për zhvillimin e turizmit dhe rekreacionit në komunë, duke kritikuar qeverisjen aktuale për anashkalim të këtij sektori për 12 vite me radhë, raporton Periskopi.
Buja ka paralajmëruar ndërtimin e një Qendre Rekreacioni pranë Parkut Nacional të Blinajës, në një hapësirë prej 3 hektarësh, me tenda luksoze, zona pikniku, amfiteatër natyror, shtigje për ecje e çiklizëm, kënde për fëmijë dhe infrastrukturë përcjellëse.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Lipjanit,
Për 12 vite me radhë, turizmi dhe rekreacioni në komunën tonë kanë mbetur të anashkaluara nga qeverisja aktuale. Lipjani, me gjithë bukuritë natyrore, është trajtuar vetëm si një pikë tranzitore.
Ne kemi një vizion ndryshe: të kthejmë Lipjanin në një destinacion të mirëfilltë turistik.
Këtu, ku po qëndroj sot, do të ndërtojmë Qendrën Rekreacioni në afërsi të Parkut Nacional të Blinajës – një hapësirë prej 3 hektarësh që do të ofrojë: Tenda luksoze dhe mini-kabina prej druri, zona pikniku me barbikju, restorant panoramik, amfiteatër natyror për aktivitete kulturore shtigje për ecje e çiklizëm, kënde relaksuese e lojërash për fëmijë, fusha sportive e parkingje per vizitor.
Kjo qendër do të jetë jo vetëm për banorët tanë, por edhe për vizitorët e huaj, duke krijuar kushte që ata të qëndrojnë më gjatë në Lipjan dhe të vizitojnë të gjitha pikat tona turistike.
Bashkë, e kthejmë Lipjanin në zemër të turizmit natyror të Kosovës!



