Vrasja e Liridonës: Naim Murseli e dy të tjerët sillen në gjykatë nën masa të rrepta sigurie
Nën masa të rrepta sigurie, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë sjellë sot në sallën e gjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca e radhës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 janar 2025, Murseli akuzohet se ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për motive familjare e martesore, duke rënë dakord që Granit Plava ta kryente vrasjen për 30 mijë euro. Plani fillimisht i ishte shpalosur Kushtrim Kokallës, i cili më pas e kishte lidhur Murselin me Plavën.
Gjithashtu, Prokuroria thotë se Murseli kishte blerë armën me 20 fishekë nga Tom Dodaj për 280 euro, armë me të cilën u krye vrasja. Dodaj më herët e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.
Në seancën e parë më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, ndërsa Plava dhe Kokalla nuk u deklaruan rreth fajësisë. Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se Murseli nuk vuante nga ndonjë çrregullim mendor në kohën e kryerjes së veprës.
Seanca e sotme pritet të hedhë dritë mbi provat e reja dhe rrjedhën e këtij procesi gjyqësor shumë të ndjekur.



