Delegacioni i BE uron qeverinë “Rama 4”: Shqipëria mbyll negociatat në 2027
Delegacioni i Bashkimit Evropiane në Shqipëri ka përgëzuar Kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e ri qeveritar pas betimit te Presidenti, për detyrën në katër vitet e ardhshme në qeverisjen e vendit.
Delegacioni i BE-së ka deklaruar se miratimi dhe zbatimi i reformave të nevojshme, do duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Vetëm përmes këtyre proceseve, sipas delegacionit, Shqipëria do arrijë qëllimin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në familjen e madhe evropiane brenda 2030-ës”, thuhet në postimin e BE-së në rrjetin social X.
“Urime Kryeministrit @ediramaal dhe të gjithë Ministrave me rastin e marrjes së detyrës. Me një përpjekje të vazhdueshme në miratimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë qëllimin e saj ambicioz për mbylljen e negociatave të pranimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ne mezi presim të punojmë së bashku me të gjithë palët e interesuara shqiptare për të arritur këtë moment të rëndësishëm në dobi të popullit shqiptar”, thuhet në postim.



