Kurti takohet me kongresistin Seith në zyrat e konsullatës së Kosovës në New York
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur takimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kongresistin republikan, Keith Self. Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, takimi është zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York.
“Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA”, thuhet në njoftim të kësaj zyre.
Kurti, sipas njoftimit, e ka diskutuar Selfin për investimet në ngritjen e kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës, vendimet për pranimin dhe shtetasve të vendeve të treta që largohen nga SHBA-ja dhe heqjen e tarifës doganore ndaj produkteve amerikane.
Në takim, është diskutuar edhe për rolin dhe rëndësinë e diasporës shqiptare në SHBA në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
Kurti e ka ftuar Selfin për vizitë në Kosovë dhe e ka falënderuar për përkrahjen ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO.
Kurti po ashtu ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim edhe më të afërt me SHBA-në në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve.
Kryeministri Kurti po qëndron në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./Periskopi/



