“Ky s’është problemi im” – Deklaratat e Kurtit në SHBA i quajnë të “gërditshme e antiamerikanizëm” në Kosovë

“Ky s’është problemi im” – Deklaratat e Kurtit në SHBA i quajnë të “gërditshme e antiamerikanizëm” në Kosovë

Kreu i Vetëvendosjes në detyrë Albin Kurti, gjatë një bashkëbisedimi me rininë e diasporës në kuadër të vizitës në SHBA u pyet për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgjigjet e tij lanë shumë për të dëshiruar, përcjell Periskopi.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne duke qenë të palëkundur në zbatimin e ligjit, demokracisë, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA, vlerësojnë se ne nuk po iu ndihmojmë SHBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht ky s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin, ashtu është. Pra, unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës dhe nëse jemi pak më të butë me Beogradin, kjo s’është provuar kurrë e dobishme, sepse sa më mirë të silleni me ta, aq më keq bëhen. Autokratëve dhe diktatorëve nëse u shfaq pak bujari, mendojnë se ke frikë prej tyre, jo se po tregohesh bujar”, deklaroi Kurti.

E këto deklarata te Albin Kurtit në Nju Jork, nxiti reagime të ashpra në Kosovë.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka quajtur të “gërditshme” deklaratat e Kurtit.

“Problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tuat, Albin, edhe sikur të doje ti.  A e kupton çfarë gjendje deliri dhe vetëmadhështie duhet për të folur në atë mënyrë? E pastaj të japësh leksione për demokraci e sundim të ligjit… Kushtetutën e keni shkelur me vetëdije dhjetëra herë. Kabineti qeveritar ose është me aktakuza, ose nën hetime. Vetë refuzon të paraqitet në prokurori për aferat multimilionëshe. Dhe megjithatë, flet për rend e ligj. Gërdi!” – ka shkruar Çitaku në Facebook.

Artan Behrami i PDK e cilësoi fjalorin e Kurtit si “anti-amerikanizëm” të hapur.

“E vetmja herë kur Albin Kurti nuk rren qenka kur thotë “Të jem i sinqertë”. Faleminderit që për herë të parë u bë i sinqertë! Më në fund me gojë të vet e pranoi se është një antiamerikan i përbetuar! Tha sapo e forcuam sovranitetin dhe demokracinë, Amerika u çu kundër. E pabesueshme!”, tha Behrami.

Kurse, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, e akuzuoi Kurtin se po e dëmton partneritetin historik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas saj, pasojat tashmë janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar dhe dobësim i pozitës së Kosovës në rajon.

“Dhe pasojat janë të qarta: ndëshkime nga aleatët, izolim ndërkombëtar, dobësim i pozitës së Kosovës në rajon. Kjo është fatura që po e paguajnë qytetarët tanë vetëm pse ‘Kryeministri’ i tyre nuk kupton se Kosova pa Amerikën nuk ka të ardhme”, shkroi Lushaku-Sadriu ndër të tjera.

Edhe ish-diplomati Avni Arifi e cilësoi atë si “tmerrshme dhe të dëmshme për interesat strategjike të Kosovës”.

“E tmerrshme kjo çfarë deklaron Kurti në Amerikë. Dmth Amerika paska qenë kundër vendosjes së sundimit të ligjit në komunat veriore e Kurti qenka prish me Amerikën për këtë arsye? Kurti kundër aamerikës për sundim të ligjit. Phaaaa… edhe këtë e dëgjon njeriu prej Kurtit e njerëzve të tij”, tha Arifi.

E, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri akuzuoi Kurtin për mashtrim dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për bllokimin institucional në Kosovë.

Sipas Tahirit, Kurti u përpoq t’u shpjegonte amerikanëve arsyet e pezullimit të dialogut strategjik, pa përmendur sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe shkeljet kushtetuese me konstituimin e Kuvendit.

Ajo shtoi se kërkesa e Kurtit për një mandat të dytë para SHBA-së, pa e artikuluar këtë në Kosovë, është shenjë e një politike mashtruese që, sipas saj, nuk kalon as në Uashington, e as te opozita në vend.

 

Shpërndaje në: