Vendos Gjykata Kushtetuese: Kuvendi nuk është konstituuar pa nënkryetarin serb
Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin duke vendosur në favor të Listës Serbe, shkruan Periskopi.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar siç ka thënë kryeparlamentari, Dimal Basha dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe ka dhënë 12 ditë afat që të zgjidhet nënkryetari serb.
Vendimi i plotë:
Gjykata, njëzëri, ka vendosur:
TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.
Ndërkohë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, më 9 shtator deklaroi se sapo të skadojë masa e përkohshme, ajo do të ndërmarrë hapin për të ftuar partinë fituese të zgjedhjeve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.
“Vendimi për masën e përkohshme nuk paragjykon vendimin përfundimtar për rastin, por ndërkohë ndalon çdo veprim institucional që lidhet me zgjedhjen e qeverisë. Me përfundimin e kësaj mase, do të ftoj partinë e parë për të vazhduar me procedurat e zakonshme”, u shpreh Osmani.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë shumë kritik ndaj këtij vendimi të Kushtetueses. Ai e ka konsideruar masën si një ndërhyrje të panevojshme që, sipas tij, i ka bllokuar për 25 ditë të gjithë 120 deputetët e Kuvendit, duke i detyruar të “vegjetojnë”.
Kurti akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po vepron si “zgjatim politik” i opozitës kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se masa ishte e pakuptimtë dhe e dëmshme, dhe e krahasoi me një vendim absurd mjekësor që do t’i fuste gjyqtarët në “pushim shëndetësor”.



