Shkrimi i Blushit “Pse nuk duhet të njihet Palestina” është një shkrim i pamoralshëm

Shkrimi i Blushit “Pse nuk duhet të njihet Palestina” është një shkrim i pamoralshëm
Shkruan: Ermal Mulosmani
Shkrimi i Blushit “Pse nuk duhet të njihet Palestina” ishte një shkrim që fillonte me një pikëpyetje të madhe morale por në fakt ishte fund e krye i pamoralshëm. Qëmtimi i njëanshëm i fakteve dhe nxjerrja e lehtë dhe e pasaktë e konkluzioneve është bash thelbi propagandistëve sofistë.
Pyetja “A e meriton shtetin Palestina” -është një pyetje pa kurrfarë sensi. Më së paku në kuptimin moral.
Epërsitë që përmend Blushi për hebrenjtë- që nga evolucioni demografik (ku futet në një masë të madhe imigrimi), aftësitë e jashtëzakonshme për të ndërtuar shtet, ekonomi, shkencë dhe kulturë – nuk janë kurrfarë përfundimi që palestinezët e paaftë të mos kenë shtet!
Premisa e “aftësisë shtetformuese” si konkluzion për pranim është djallëzore. Mund të ngrihej kjo pikëpyetje nga një dimension darvinian apo hitlerian por kurrsesi nga një dimension moral. Morali është bash
Kushtetuta e të drejtave të të dobtëve, po deshe edhe të paaftëve. Garancia që të drejtat e tyre të mos cënohen nga Forca e të fortëve apo “të aftëve”. E drejta e një populli për të pasur shtetin e vet nuk është çështje meritore dhe nuk është shtruar kurrë kështu.
Palestina e ka shtetin e vet të njohur nga 153 shtete të botës. Edhe pse një shtet qyqar dhe i paaftë. Sepse Bota ndërtoi disa rregulla shtetformuese që u njeh popujve të drejtën vetvendosëse.
Shumica e argumenteve të sjella nga Blushi janë argumenta force dhe aftësie. Nuk ka kurrfarë dyshimi që izraelitët e kanë dëshmuar epërsinë e tyre të gjithanshme ndaj arabëve me të cilën ndajnë të njëjtën tokë.
Është e tepërt edhe ta diskutojmë atë. Lëre pastaj nga pikëpamja ushtarake apo e forcës. Rezultati i përpjekjeve arabe ka përfunduar gjithmonë e më në katastrofë, gjithmonë e më shumë në humbje territoresh, gjithmonë e më të nënshtruar.
Por ky nuk është argument për asgjësim. Ajo tokë do të ishte më e begatë nëse do të popullohej vetëm me hebrenj, kjo nuk ka diskutim. Sa më shumë të zgjerohet Izraeli, jo vetëm në Gaza e Bregun Perëndimor por edhe në Liban, Jordani, Siri e Egjipt, aq më e zhvilluar do të bëhet ajo zonë.
Premisa e begatisë dhe e e zhvillimit është një premisë që vjen nga arsye krejt të tjera nga ato morale. Kombet e zhvilluara, me motive të tilla, do të sulmojnë gjithmonë popullata me aftësi të dobta shtetformuese.
Do ta bënin në emër të zhvillimit, prosperitetit, begatisë. Dhe popullatat vendase do të asimiloheshin në emër të përparimit.
Hitleri përmes eutanazisë vrau 250 mijë gjermanë me aftësi të kufizuara mendore ose fizike sepse ata nuk plotësonin pritshmëritë e një race superiore ndaj duheshin asgjësuar. Pikërisht këtë tezë më kujtoi Blushi:
Popujt foshnjë me aftësi të kufizuara mendore apo fizike nuk e meritojnë të jetojnë.
Kjo është gjithçka përveç se një predikim moral.
Koha që po jetojmë në fakt nuk është kohë predikuesish moralë. E drejta, demkracia, dinjiteti, sovraniteti, morali janë gjithmonë e më shumë broçkulla të një kohe të shkuar. Po rikthehemi te thënia e famshme e Tukidikit:
“E drejta, siç shkon bota, është në pyetje vetëm mes të barabartëve në pushtet. Ndërsa të fortët bëjnë ç’të munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet.”
Pra, amoraliteti dhe Forca është rikthyer. Të fortët do të asgjësojnë të dobëtit. Një ligj i vjetër sa vetë bota, një darvinizëm social është në veprim. Jo vetëm në Izrael.
Të fortët do të mbijetojnë, të dobëtit do të vdesin. Por përpara se të vdesin do të bëjnë ç’të mundin. Edhe terrorizëm. Mos kërko arsye te terrorizmi sepse atje ku fillon mbijetesa mbaron arsyeja. Lëre pastaj të përmendësh terma si demokracia, zgjedhjete më the e të thashë.
Amos Oz ka thënë diku për konfliktin izraelito-palestinez: “Mos prisni që dy burra që pretendojnë të njëjtën grua (tokë) të merren vesh në kafe.”
Nuk mund të them që shkrimi ishte pa të vërteta. Të thëna troç dhe të mbështetura fort në arsyen e forcës. E cila gjithmonë triumfon ndaj forcës së arsyes.
Por përmendja e fjalës “moral” në atë shkrim është spekulim i pastër.

Shpërndaje në: