Reagon ish zvministri pasi Basha u dënua për shpifje: Gjashtë vjet më ka thyer shpirtërisht

Reagon ish zvministri pasi Basha u dënua për shpifje: Gjashtë vjet më ka thyer shpirtërisht

Ish-zëvendësministri i Financave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mustafë Grainca ka folur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila ka dënuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shpifje dhe fyerje ndaj tij.

Sipas vendimit të gjykatës, Dimal Basha detyrohet të kërkojë publikisht falje ndaj Graincës dhe të paguajë shumën prej 25 mijë euro si kompensim për dëmin moral të shkaktuar.

“Dimal Basha është dënuar për shpifje kundrejt ish-zëvendësministrit të Financave, Mustafë Grainca, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në vendim, përcjell Periskopi.

Grainca, i cili për gjashtë vite ka ndjekur këtë proces gjyqësor, shprehu kënaqësinë e tij për vendimin, duke theksuar se më shumë se kompensimi financiar, për të ka rëndësi drejtësia dhe përgjegjësia publike.

“Jam informuar nga avokati. Ka një orë që kemi pranuar vendimin. Që gjashtë vite e pres këtë vendim. Vendimi i parë ka qenë skandaloz nga një gjyqtar dhe e kemi ankimuar atëherë atë vendim dhe Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim. Në atë kohë ai ishte shpallur i pafajshëm. Ai dënohet për shpifje dhe fyerje. Gjashtë vite më ka thyer shpirtërisht dhe emocionalisht”, ka deklaruar Grainca për FrontOnline.

Ai theksoi se përplasja mes tyre nisi në kohën kur ai mbante postin e zëvendësministrit, ndërsa Dimal Basha sapo kishte hyrë në politikë nga shoqëria civile.

“Unë kam qenë zëvendësministër i Financave. Atëherë kur ky (Dimali) ka filluar betejën me mua, për një muaj ditë ka hyrë në listën kandiduese të LVV-së. Nga shoqëria civile me 1 korrik 2019, shpif e nuk lë gjë pa thënë për mua në Insajder, me 1 korrik 2019 ky anëtarësohet në LVV dhe shkon në zyrë e tyre dhe në fund të gushtit të vitit 2019 ky hyn në listën kandiduese të LVV-së për Kuvend të Kosovës”, deklaroi ai.

Grainca akuzon Bashën se kishte motiv politik prapa sulmeve publike ndaj tij, duke theksuar një deklaratë të thënë nga vetë Basha sipas tij.

“Në një video incizim, vetë e bën gjykimin ku thoshte ‘Populli u bind se Grainca është një hajn, që ai është një shkatërrues i qytetit, atë populli e la të shpia dhe tek unë u bind dhe më bëri deputet’,” kujtoi Grainca.

Ai u shpreh i kënaqur që drejtësia më në fund u vu në vend dhe pret të ketë kërkim-falje nga Basha.

“Nuk më intereson çështja financiare sa dënohet ai. Nuk mundet me u marrë askush më me këtë temë. Ajo që kam kërkuar nga avokatja ka qenë që të sillet një vendim i drejtë dhe që shpifësi dhe fyesi duhet me u dënu. Unë jam i kënaqur që është dënuar si shpifës dhe fyes. Gjykata e detyron që me kërku falje. Si mund të jetë dikush kryetar i Kuvendit dhe të mos kërkojë falje mbi bazën e respektimit të vendimit të Gjykatës do të ishte e paprecedentë. Ai ka të drejtë me bërë ankesë ndaj vendimit”, tha Grainca.

 

Shpërndaje në: