“Shqiptarët në këmbë për drejtësi!” – Memli Krasniqi thirrje për protestë gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë një thirrje publike drejtuar të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, për t’u bashkuar në një protestë gjithëkombëtare më 17 tetor, në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” të Tiranës, në mbrojtje të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me gjyq në Hagë, shruan Periskopi.
Në një reagim të fuqishëm, Krasniqi theksoi se kjo protestë është më shumë se një tubim – është një zë i përbashkët për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën historike të popullit shqiptar.
“Më 17 tetor, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” të Tiranës, protestë gjithëkombëtare në mbrojtje të çlirimtarëve tanë që po mbahen në Hagë. Le të jetë kjo protestë thirrja e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe luftën tonë për liri.” deklaroi Krasniqi.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve në çdo cep të trojeve shqiptare dhe diasporës që të bashkohen në këtë protestë, duke theksuar se është koha për unitet dhe qëndrim të përbashkët për mbrojtjen e çlirimtarëve.
“Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë – një zë, një qëndrim, një kauzë: drejtësi për çlirimtarët tanë,” përfundon thirrjen e tij Memli Krasniqi.



