“26 milionë euro bleu vota”: Buxheti i shtetit në shërbim të fushatës së VV-së, 100 eurot nxisin reagime
Nuk i mjaftojë një muaj fushatë, kësaj radhe Vetëvendosjes duke shfrytëzuar privilegjet e pushtetit, pesë ditë para zgjedhjeve lokale, shfrytëzojë mundësinë e fundit që të marr votën nga qytetarët, duke marr vendim për ndarjen e nga 100 eurove për studentët dhe familjet në nevojë, shkruan Periskopi.
Sot gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë u bë ndarja e 26 milionë eurove, ku studentët do të jenë përfitues të nga 100 eurove (mbështetje e njëhershme).
Ky vendim nga deputetë të partive politike, shoqëria civile, por edhe nga shumë qytetarë u cilësua si “blerje e votës” nga Vetëvendosje.
PDK: Ndajra e 100 eurove, praktikë e VV për t’u hedhur hi syve qytetarëve në prag të zgjedhjeve
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa ka thënë se ky vendim i ndarjes se 100 eurove është rikthim praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve.
“Albin Kurti, i cili të rinjve kosovarë po ua humb çdo shpresë për t’u zhvilluar e për të jetuar mirë në Kosovë, sot i është kthyer praktikës së tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve, me nga 100 euro për studentët, në prag të zgjedhjeve. Studentët tanë kanë nevojë për një shtet që funksionon, që krijon mundësi reale për zhvillim dhe që siguron vende pune për një jetë me dinjitet. Studentët tanë nuk mashtrohen!”, ka shkruar Mustafa.
Hykmete Bajrami: 26 milionë euro kostoja e blerjes së votës nga LVV-ja, skemë e korrupsionit publik
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar si skemë të korrupsionit publik vendimin e sotëm të Qeverisë për të ndarë 26 milionë euro për studentët në prag të zgjedhjeve.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se 26 milionë euro është kostoja e blerjes së votës nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prokuroria është vonuar t’i nxjerrë nga zyra këta uzurpator që blejnë vota me taksa të qytetarëve. Kjo është skemë e korrupsionit publik. Qytetarët do t’i ndëshkojnë keqpërdoruesit me 12 tetor”, ka shkruar Bajrami në tutje.
Deputeti shqiptar në Zvicër: Ndarja e 100 eurove nga qeveria teknike është korrupsion!
Deputeti shqiptar në parlamentin zviceran të Bernës, Korab Rashiti e ka quajtur ndarjen e 100 eurove si korrupsion dhe klientelizëm institucional.
Sipas tij, ky ‘manovrim’ është edhe ilegal.
Ky njeri po blen vota me paratë e tatimpaguesve – përkatësisht me TVSH-në, tatimin mbi të ardhurat tuaja, e të tjera – të cilat i shpërndan për qëllime elektorale, megjithëse ai nuk është askryeministër, as pjesë e një qeverie me mandat të plotë, por e një kabineti teknik të punëve të përditshme! Kjo është një situatë shumë serioze, prandaj prokurorët specialë duhet të hetojnë menjëherë, sepse këtu kemi të bëjmë me korrupsion institucional dhe me tejkalim të kompetencave ligjore nga një kabinet teknik”, ka shkruar Rashiti.
Në anën tjetër, analisti Visar Ymeri ka thënë se këto ndihma i shkojnë përshtati Albin Kurtit.
Sipas tij, solidariteti po shndërrohet në marketing e politika në bamirësi.
Ndërsa, Eugen Cakolli nga KDI, bëri me dije se vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë.
“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral. Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale”, ka shkruar ai.



