“Delfin L.T.D” e humb betejën gjyqësore për peshkun me krimba që po e shiste nëpër markete
Gjykata Komerciale në Prishtinë ka refuzuar ankesën e kompanisë “Delfin L.T.D” Sh.P.K, e cila kishte kërkuar pezullimin e vendimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për asgjësimin e një sasie peshku të importuar që rezultoi me praninë e parazitëve të rrezikshëm për shëndetin e njeriut të njohur si Anisakis.
Periskopi në muajin maj raportoi me të gjitha dokumentet se si në tregun e Kosovës shumë kompani po shpërndanin peshkun me krimba nëpër markete dhe këtë duke qenë i njoftuar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Në mesin e shumë kompanive ishte edhe “Delfini L.T.D”, që tashmë e ka humbur rastin në organet e drejtësisë.
Peshku i krimbur nuk i shqetësoi bizneset, derti i tyre mbetet tek rrezikimi i imazhit të tyre
Me këtë vendim, Gjykata e Shkallës së Dytë ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë dhe ka mbështetur plotësisht veprimet e Agjencisë së Ushqimit, duke e konsideruar vendimin në interes të sigurisë publike dhe shëndetit të konsumatorëve.
Sipas dosjes gjyqësore, kompania “Delfini” kishte kontestuar vendimin e AUV-së për asgjësimin e peshkut, duke kërkuar që të bëhej një ekspertizë e re ndërkombëtare për të vërtetuar nëse produkti ishte i dëmshëm apo jo për konsum. Kompania pretendonte se parazitët, edhe pse të pranishëm në analizat laboratorike, bëhen të padëmshëm pas ngrirjes në temperatura shumë të ulëta, një praktikë që, sipas tyre, garanton siguri të plotë ushqimore.
Megjithatë, Gjykata nuk e ka pranuar këtë argument, duke theksuar se kërkesa për “sigurim të provës” në këtë fazë të procedurës ishte e pabazuar. Në aktvendim thuhet se kompania nuk ka paraqitur asnjë fakt apo provë që do të justifikonte rrezikun e zhdukjes së provave ose vështirësinë e marrjes së tyre në të ardhmen. Për më tepër, gjykata thekson se qëllimi i kërkesës nuk ishte sigurimi i një prove që mund të humbiste, por kontestimi i gjetjeve të një organi publik, të cilat tashmë janë konstatuar në mënyrë zyrtare nga AUV-ja përmes analizave laboratorike.
Gjykata kujton se, sipas Ligjit për Ushqim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është organi i vetëm kompetent për kontrollin dhe mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës. Brenda këtyre kompetencave, ajo ka të drejtën të marrë mostra, të kryejë analiza dhe të urdhërojë masa për mbrojtjen e shëndetit publik, përfshirë edhe asgjësimin e produkteve që përmbajnë parazitë ose substanca të rrezikshme për konsum.
Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Dytë ka theksuar se analizat laboratorike të AUV-së kanë konfirmuar praninë e parazitëve Anisakis në produktet e importuara nga “Delfin L.T.D.”, duke theksuar se ky lloj paraziti mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore në rast konsumimi, veçanërisht tek personat me sistem të ndjeshëm imunitar. Edhe pse kompania pretendonte se ngrirja në -20°C i neutralizon parazitët, Gjykata ka vlerësuar se një pretendim i tillë kërkon verifikime të mëtejshme dhe nuk e përjashton faktin se produktet në momentin e analizës kanë rezultuar të papërshtatshme për konsum.
Në këtë drejtim, Gjykata e konsideroi se veprimet e AUV-së ishin të ligjshme dhe në përputhje me parimet e mbrojtjes së shëndetit publik. “Qëllimi i procedurës për sigurimin e provës nuk është kontestimi i një prove tashmë ekzistuese të konstatuar nga një autoritet publik, por mbrojtja e një gjendjeje që mund të zhduket”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit.
Pas shqyrtimit të ankesës, Kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë, i përbërë nga gjyqtarët Ramush Bardiqi, Fisnik Nuli dhe Faton Bajrami, ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë kishte zbatuar drejt dispozitat ligjore dhe nuk kishte bërë shkelje të procedurës apo të së drejtës materiale. Për këtë arsye, ankesa e kompanisë “Delfin L.T.D.” është refuzuar si e pabazuar dhe aktvendimi i mëparshëm është vërtetuar si i ligjshëm dhe i drejtë.
Në përfundim, Gjykata ka nënvizuar se masa të tilla janë thelbësore për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, duke theksuar se detyrimi për kontroll dhe cilësi në ushqim është një standard që duhet të respektohet nga çdo kompani që operon në tregun kosovar.
Në këtë mënyrë, saga gjyqësore e “Delfin L.T.D.” për peshkun me krimba përfundon me një dështim ligjor për kompaninë.
Madje, pas publikimit të shkrimeve nga Periskopi, kjo kompani kishte parashtruar ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara, me pretendimin se Periskopi ka bërë shkelje të Kodit të Mediave gjatë raportimit, mirëpo këto pretendime ishin rrëzuar nga KMSHK.
Në kërkesën e kompanisë “Delfini L.T.D”, ndaj gjykatës që të mos i asgjësohej peshku me krimba, kishte përdorur argumentin se po i shkaktohet humbje financiare dhe dëmtim i imazhit. Mirëpo, në asnjë vend kjo kompani nuk e kishte shkruar një germë që duhet të mbrohet interesi i qytetarëve, gjegjësisht shëndeti i konsumatorëve. Pra, hallin kompania e kishte përfitimin financiar dhe imazhin, por jo shëndetin./B.Agushi/Periskopi/







