Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunimin e një të miture në Gjakovë

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunimin e një të miture në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaji të pandehurit D.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit.

I pandehuri dyshohet se dhunoi një 15-vjeçare në periudhën prill-tetor 2025 në Gjakovë.

 

“Sipas kërkesës, “Nga muaji prill 2025 deri më 2 tetor 2025 në Gjakovë, i pandehuri, përmes komunikimit në rrjetin social Snapchat, ka realizuar takime me të miturën (e lindur 2010), gjatë të cilave takime pa pëlqimin e saj ka kryer akte seksuale-orale. I pandehuri e incizoi të dëmtuarën gjatë aktit dhe më pas e kërcënoi se do ta publikonte incizimin nëse i tregonte dikujt, duke e detyruar që të takohej përsëri me të”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

 

“Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepër penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ju shmangur drejtësisë, duke ndikuar në dëshmitarë, apo duke e përsëritur veprën penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata bën të ditur se i pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor 2025.

 

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Shpërndaje në: