948 Qendra votimi në gjithë Kosovën, qendrat e votimit hapen në ora 07:00
Sot qytetarët e 38 komunave do të kenë mundësi të votojnë për kryetarë dhe përfaqësues të tyre në Kuvende komunale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë 948 qendra votimi në gjithë Kosovën që do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen në orën 19:00.
KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të qetë.
Po ashtu për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 do të hapen gjithsej 38 Qendra Votimi për votim me kusht, të shpërndara në të gjitha komunat e Kosovës.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në këto qendra do të funksionojnë gjithsej 54 vendvotime, të dedikuara për votuesit që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të votojnë në vendvotimin e tyre të rregullt.
Votimi me kusht në zgjedhjet lokale është i lejuar vetëm brenda komunës ku është i regjistruar votuesi, dhe realizohet në qendrën e veçantë për votim me kusht të caktuar nga KQZ.
E drejta për të votuar me kusht u mundësohet vetëm votuesve që janë të regjistruar në listën votuese, por që për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin që u takon sipas adresës./Periskopi/



