Kush ku fitoi, Cakolli: Balotazhi do të jetë edhe më interesant
Eugen Cakolli nga KDI, ka publikuar një analizë të rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe ka theksuar se raundi i dytë i garës për kryetarë do të jetë veçanërisht i fortë dhe i paparashikueshëm, shkruan Periskopi.
Në postimin e tij në Facebook, Cakolli ka shkruar se balotazhi do të jetë edhe më interesant.
“Zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Më poshtë janë përmbledhjet e përgjithshme dhe për secilën parti. Sidoqoftë, sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant…”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu ka dhënë një përmbledhje të performancës së partive kryesore:
-
LVV: “Fitore pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri). Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm.”
-
LDK: “Fitore pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë). LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021.”
-
PDK: “Fitore pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë). PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021.”
-
AAK: “Fitore pa balotazh në 1 komunë (Deçan); e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); e dyta në 1 komunë (Junik). AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021.”



