Von der Leyen: Shqipëria po ecën me shpejtësi rekord drejt BE-së

Von der Leyen: Shqipëria po ecën me shpejtësi rekord drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një përparim “me shpejtësi rekord”.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi mbështetjen e BE-së për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

“Shqipëria është në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Europian. Dua të theksoj që është një progres i mrekullueshëm, shpejtësi rekord. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat në vitin 2027 dhe ne do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge”, tha Von der Leyen.

Duke folur për sfidat aktuale në kontinentin europian, ajo u ndal edhe te situata gjeopolitike pas agresionit rus ndaj Ukrainës:

“Sepse momenti gjeopolitik është tani. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo vend europian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë”.

Von der Leyen ndodhet në Tiranë si pjesë e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus janë procesi i anëtarësimit dhe plani ekonomik i Bashkimit Europian për rajonin.

Shpërndaje në: