Përgjigje Albin Kurtit; Nata e frikës në Mitrovicë
Mitrovica nuk foli, sepse dikush i qëndroi mbi kokë deri në katër të mëngjesit. Kur e shpall fitoren e pafituar ai që frikësohet nga e vërteta
Shkruan: Baton Haxhiu
Ne si ekip i Albanian Post, dhe T7 si transmetues i Exit poll, marrim përgjegjësinë për devijimin e exit-pollit në Mitrovicë. Gabimi është njerëzor. Ai lidhet me një moskoherencë momentale në deklarimin e votuesve, aty ku disa zëra heshtën, disa u shmangën, e disa e morën pyetjen si provë besnikërie politike. Kaq është e vërteta. Dhe s’ka pse të dramatizohet.
Por ajo që ndodhi më pas, ishte shumë më e madhe se vetë gabimi. Kryeministri i Kosovës e ktheu një pasaktësi statistikore në armë politike, në mënyrën më tipike të pushtetit që frikësohet nga matja reale e opinionit. Ai foli për komplot, për organizim, për gabim të qëllimshëm, sikur qytetari në Mitrovicë të kishte hyrë në një skemë të madhe mashtrimi për t’i fshehur fitoren. Në fakt, ai vetë e kishte ndërtuar klimën ku sondazhi s’mund të fliste ndryshe.
Sepse në Kosovën e tij, votuesi nuk është i lirë të flasë. Ai është i matur, i vëzhguar, i frikësuar mos po i shkon fjala në vend të gabuar. Dhe në atë atmosferë, nuk matet vota, matet frika. Në Mitrovicë, ajo frikë doli statistikisht e dukshme dhe jo si mungesë profesionalizmi, por si pasojë politike. Në fakt, vetë Kryeministri, me shpuren e tij, kishte qëndruar deri në katër të mëngjesit në Zhabar e Shipol, për t’i bindur banorët nën trysni e frikë, me atë mënyrën tipike të pushtetit që përzien ndikimin me përuljen. Aty nuk matet bindja e lirë, por presioni, dhe aty humbi jo sondazhi ynë, por vota e lirë.
Kështu, Kryeministri mori një lapsus metodologjik dhe e shndërroi në fitore morale. Ai bëri pikërisht atë që bën çdo pushtet kur ndjen krizë: shpik armik për të treguar se ende ka betejë. Ai gjeti fajtorin më të lehtë , sondazhin, median, numrat, sepse nuk mund t’i gjejë dot përgjigjen vetes pse njerëzit s’e besojnë më me të njëjtin entuziazëm.
Në fund, çështja s’është pse exit-polli gaboi në Mitrovicë, por pse në Mitrovicë votuesit zgjodhën të mos thonë të vërtetën. Kur një shoqëri arrin aty, nuk është më problemi i anketuesit, por i klimës që e prodhon heshtjen.
Dhe ndoshta këtu fshihet ironia më e madhe: që për të mbuluar krizën e vet, një lider është gati ta shpallë edhe gabimin tonë si fitore të vetën. Por fitorja që lind nga frika e së vërtetës, është humbja më e sigurt.



