Juristja për media, Flutura Kusari ka reaguar pas padisë së paralajmëruar nga Faton Peci ndaj disa gazetarëve, shkruan Periskopi.
Kusari përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se asnjë nga gazetarët e përmendur nga Peci, nuk kanë bërë vepra penale.
“Është përpjekja e rradhës për të ushtruar presion politik ndaj mediave.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme komentimit të ngjarjeve politike nga ana e gazetarëve prandaj nëse pak merren parasysh standardet e GjEDNj-së ky rast nuk do të ketë sukses pranë organeve të ndjekjes dhe do të mbetet vetëm si përpjekja e radhës e këtij pushteti me e kufizu lirinë e shprehjes dhe të medias”, shkroi Kusari mes tjerash.
Postimi i plotë:
Gazetarët nuk kanë bërë vepra penale, e kanë ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes
Asnjë nga personat e përmendur në postimin e kandidatit për kryetar të Mitrovicës Faton Peci nuk kanë bërë vepra penale. As nuk e kanë cënu voten e lirë të askujt dhe as nuk kanë falsifiku rezultate zgjedhore.
Ata e kanë ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes që të ndajnë mendimet e tyre për procesin zgjedhor me publikun dhe gabimet në exit polls duhet të paguhen me kredibilitet.
Çdo metodë tjetër, siç është përdorimi i ligjit dhe procedurave penale kundër gazetarëve dhe kompanive, është abuzim i procedurave dhe ligjeve penale me qëllim që gazetarëve t’ua mbyllin gojën. Është përpjekja e rradhës për të ushtruar presion politik ndaj mediave.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut i ofron mbrojtjen më të madhe të mundshme komentimit të ngjarjeve politike nga ana e gazetarëve prandaj nëse pak merren parasysh standardet e GjEDNj-së ky rast nuk do të ketë sukses pranë organeve të ndjekjes dhe do të mbetet vetëm si përpjekja e radhës e këtij pushteti me e kufizu lirinë e shprehjes dhe të medias.
Kjo inicativë ka këto qëllime:
1. Frikësimin e gazetarëve ashtu që të mos i komentojnë zhvillimet që lidhen me procese zgjedhore
2. Përforcimin e narrativës së pushtetit që “gazetarët janë armiku, mos iu besoni por na besoni neve”
Sigurisht që edhe kjo përpjekje do të dështojë por faturën në raportet dhe indekset ndërkombëtare për liri të mediave do ta paguajë Kosova, e cila dikur ishte kampion në rajon për liri të shprehjes dhe medias.