Migranti nga Kosova shtirej si babai i 13 foshnjave për pasaporta
Një emigrant nga Kosova është dënuar me pesë vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u shpall fajtor për ndihmë në imigracion të paligjshëm, duke u shtirur si babai i 13 foshnjave shqiptare për të siguruar atyre pasaporta britanike.
Petrit Musa, 38 vjeç, krijoi aplikime mashtruese në emër të një bande kriminale në këmbim të “shumave të konsiderueshme” parash, bëri të ditur Gjykata e Kurorës në Isleworth. Ai kishte arritur të siguronte me sukses gjashtë pasaporta përpara se mashtrimi të zbulohej nga Ministria e Brendshme, shkruan Daily Mail.
Sipas prokurorisë, Musa, i cili kishte marrë leje qëndrimi në Britani në vitin 2021, përdori statusin e tij ligjor për të aplikuar për pasaporta në emër të fëmijëve që nuk kishin asnjë lidhje me të. Foshnjat ishin fëmijë të nënave shqiptare që kishin hyrë ilegalisht në Britani dhe kishin paguar shuma të mëdha për shërbimin.
Hetimet zbuluan se Musa kishte shlyer një borxh prej mbi 40 mijë paundësh nga fitimet e skemës, por kishte vazhduar të përfitonte nga mashtrimi edhe pas shlyerjes së detyrimeve. Në telefonin e tij u gjetën fotografi “selfie” ku ai shfaqej me sasi të mëdha parash, si dhe dëshmi për depozita të shumta në një bankë pranë qendrës tregtare “Westfield”.
“Ky ishte një plan relativisht i sofistikuar, me një model të përsëritur në secilin prej 13 rasteve,” tha prokurori Oliver Pateman, duke shtuar se roli i Musës ishte thelbësor për suksesin e skemës.
Avokati mbrojtës Patrick Maggs argumentoi se klienti i tij ishte “kukulla” e grupit kriminal, që nuk përfitonte shumicën e fitimeve. “Ai ishte ai që i vinte emrin dhe fytyrën mashtrimit, ndërsa të tjerët qëndronin në hije,” tha Maggs.
Gjyqtari James Thomas pranoi se Musa nuk ishte organizatori kryesor, por theksoi se ai përfitoi shuma të konsiderueshme dhe mbajti përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mashtrimin.
Të gjitha aplikimet e pasaportave janë tashmë revokuar nga Ministria e Brendshme britanike.



