Ahmeti: Ka ca në mesin tonë që ndjellin ndasi te shqiptarët, pavetëdijshëm po i shërbejnë Beogradit e Moskës

Ahmeti: Ka ca në mesin tonë që ndjellin ndasi te shqiptarët, pavetëdijshëm po i shërbejnë Beogradit e Moskës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mbajtur një fjalim në protestën në Tiranë që po mbahet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Përveç fjalëve për ta, Ahmeti tha se do që të ndajë edhe një shqetësim për “ca” që po ndjellin ndasi e po shpërndajnë propagandën dashakeqe duke i shërbyer Beogradit e Moskës.

“Dua ta adresoj edhe një shqetësim, ka akoma në mesin tonë ca që pa vetëdijshëm i shërbejnë agjendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe ndjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm që po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është fushë pjellore për ndasi ndërshqiptare. Ne duhet të bashkohemi, të bëhemi bashkë siç u bashkuam për Kosovën Republikë, për Shqipërinë demokratike në NATO dhe në BE, për shqiptarët e barabartë në një Maqedoni euroatlantike, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë e Mal të Zi, ashtu duhet të bashkohemi edhe për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Në protestën në Tiranë po marrin pjesë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa fjalime mbajtën edhe disa figura nga politika./Periskopi/

Shpërndaje në: