Zafir Berisha: Dimal Basha është përcjellës i mesazheve të Beogradit tash e 20 vjet

Zafir Berisha: Dimal Basha është përcjellës i mesazheve të Beogradit tash e 20 vjet

Zafir Berisha, themelues i iniciativës Bashkimi Demokratik për Prizren, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka deklaruar se votimi i Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit ka qenë më shumë aksidental, pasi ishte krijuar bindja se ai nuk do të votohej.

Për votimin e AAK-së dhe PDK-së në favor të Bashës, Berisha tha se bëhet fjalë për një gafë politike që do t’u kushtojë.

“Kam përshtypjen që më shumë ka qenë aksidentale, sepse është krijuar një bindje që nuk do ta votojnë të tjerët. Pa menduar mirë, një pjesë e AAK-së dhe PDK-së kanë bërë një gafë që do t’u kushtojë politikisht, sepse kanë votuar një njeri pa kurrfarë kredibiliteti, një deputet zhurmagji, por mbi të gjitha një përcjellës i mesazheve të Beogradit tash e 20 vjet, që tash doli edhe me dokumente. Kujtoj mirë propagandën sllave në kohë lufte, kur këtu ishte çdo gjë në flakë dhe ata trumbetonin para botës demokratike se UÇK po financohej nga mafia e drogës. Kjo propagandë ka vazhduar deri te Dimal Basha, që është i pari i Kuvendit dhe përgjegjësinë më të madhe e kanë AAK-ja, por sidomos PDK-ja”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se Basha nuk do të duhej të votohej fare për kryetar të Kuvendit, por pasi doli në publik punimi i tij ku UÇK-ja portretizohej si organizatë e financuar nga paratë e drogës, do të duhej të kishte dhënë dorëheqje.

“Fillimisht ai nuk është dashur të votohej fare, por në momentin kur janë bërë publike disa gjëra, ai është dashur të japë dorëheqje. Por nuk e bën, sepse nuk është rastësisht që ka shkruar ashtu dhe nuk është rastësisht që është në Vetëvendosje”, ka thënë Berisha.

Berisha shtoi se ndihet më i qetë që nuk ka fituar garën për deputet, sepse nuk e di si do të sillej në raport me Bashën.

“Nuk e di si munden disa nga shokët e mi ta kërkojnë fjalën dhe t’i thonë ‘zoti kryetar’. Unë kam thënë më mirë që s’kam fituar për deputet, sepse nuk e di si do të isha sjellë me të”, ka thënë Berisha./Periskopi/

Shpërndaje në: