Mungon dëshmitarja, dështon seanca në rastin “Banjska”
Themelore në Prishtinë, ka dështuar seanca e së martës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antonijeviq, por e njëjta mungoi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se në bazë të provave që ka Gjykata, dëshmitarja e ka pranuar ftesën me rregull, pra ftesa është pranuar nga babai i saj, Dragoljub Antonijeviq, i cili në një formë e ka lënë të hapur mundësinë e paraqitjens në seancë, mirëpo me rastin e pranimit të ftesës ka deklaruar se e njëjta gjendet në Serbi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi tha se babai i dëshmitares ka treguar një datë kur ajo mund të kthehet. Andaj, sipas Gjykatës dëshmitarja nuk e ka arsyetuar mungesën, por do të pres ndërkohë të arsyetojë atë dhe më pas do të marrë vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të sigurisë apo do t’i dërgohet ftesë.
Andaj në këto rrethana, seanca e sotme dështoi.
Në seancën e radhës pritet të dëshmojë një dëshmitar nga Maqedonia e Veriut, kështu që u tha se Gjykata me kohë do të vendosë kontaktet me Maqedoninë e Veriut, për të qenë të gatshëm për ta siguruar dëshminë në seancën e radhës.
Seanca e së hënës (20 tetor) u mbyll për publikun me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim A2.



