Ndahet nga jeta në moshën 29-vjeçare mjeshtri i shahut, Daniel Naroditsky
Mjeshtri i madh amerikan i shahut, Daniel Naroditsky, është ndarë nga jeta papritur në moshën 29-vjeçare, njoftoi familja e tij të hënën përmes një deklarate të shpërndarë nga Qendra e Shahut në Charlotte.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur. Naroditsky, me origjinë nga Kalifornia, fitoi kampionatin botëror për moshat nën 12 vjeç dhe u shpall mjeshtër i madh në moshën 18-vjeçare, titulli më i lartë në shah pas kampionit botëror.
Ai u dallua si një nga shahistët më të talentuar të brezit të tij dhe ishte rregullisht në mesin e 200 shahistëve më të mirë në botë për shahun klasik, ndërsa në disiplinën “blitz” (lojë me kohë të shkurtër), mbante një vend në top 25 botëror.
Në gusht të këtij viti, Naroditsky fitoi kampionatin kombëtar amerikan në shah blitz, ndërsa vitin e kaluar u rendit i nënti në kampionatin botëror në të njëjtën disiplinë.
Përveç suksesit në turnetë ndërkombëtare, Naroditsky njihej gjerësisht edhe si komentator dhe edukator i shahut, duke e afruar këtë lojë me një publik më të gjerë përmes livestream-eve në YouTube dhe Twitch.
Mijëra njerëz e ndiqnin rregullisht teksa luante dhe analizonte ndeshjet e tij në kohë reale.



