Nuk kishte ujë të ngrohtë në dushet e “Emirates”, Atletico Madrid padit në UEFA Arsenalin

Nuk kishte ujë të ngrohtë në dushet e “Emirates”, Atletico Madrid padit në UEFA Arsenalin

Situatë e pazakontë në prag të supersfidës së Champions League mes Arsenalit dhe Atletico Madridit. Klubi spanjoll ka paraqitur një ankesë zyrtare në UEFA kundër londinezëve, pasi lojtarët e skuadrës së Diego Simeones janë detyruar të bëjnë dushe me ujë të ftohtë pas stërvitjes në stadiumin “Emirates”.

Atletico zhvilloi seancën e fundit stërvitore të hënën në mbrëmje, siç është zakon para ndeshjeve europiane, por pas përfundimit të saj, lojtarët si Antoine Griezmann dhe Conor Gallagher kanë mbetur të habitur kur në dhomat e zhveshjes mungonte uji i ngrohtë.

Sipas gazetës spanjolle Marca, lojtarët dhe stafi teknik ishin “të zemëruar, të befasuar dhe të hutuar” që një stadium modern si Emirates kishte një problem kaq elementar.

Zyrtarët e Atleticos kishin njoftuar Arsenalin rreth orës 18:45, pak pasi kishte nisur stërvitja, për mungesën e ujit të ngrohtë. Megjithatë, deri në 19:15, kur Simeone vendosi ta mbyllë seancën 15 minuta më herët, problemi nuk ishte rregulluar.

Edhe pse furnizimi me ujë të ngrohtë u rikthye rreth orës 19:25, lojtarët e Atleticos tashmë kishin hipur në autobusin e ekipit, duke vendosur të lahen më vonë në hotel.

Arsenal reagoi menjëherë duke kërkuar falje zyrtare ndaj klubit spanjoll dhe sqaroi se një incident i tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë në stadium.Ironikisht, trajneri Simeone është shpesh i njohur për përdorimin e “trukeve psikologjike” në fushë, por këtë herë, “goditjen” duket se e ka marrë vetë. Sipas mediave britanike, gjithçka ka qenë një defekt teknik i rastësishëm, megjithëse shumë lojtarë të Atleticos janë larguar të nervozuar. /Periskopi/

Shpërndaje në: