Gazeta prestigjioze italiane: Amir Rrahmani, shtylla që mungoi në katastrofën ndaj PSV
Gazeta prestigjioze italiane La Gazzetta dello Sport ka analizuar në detaje disfatën e rëndë 6-2 që Napoli pësoi nga PSV të martën në mbrëmje, në kuadër të raundit të tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Në analizën e saj, gazeta ndalet veçanërisht te mungesa e theksuar e Amir Rrahmanit në repartin e mbrojtjes, duke theksuar ndikimin negativ që kjo ka pasur në rezultat.
“Pa Rrahmanin, mbrojtja e Napolit dukej e humbur. Krahasuar me titullarët aktualë, kosovari është një shtyllë e vërtetë”, shkruan gazeta.
“Gabimet e Buongiornos dhe Beukemas ishin evidente, duke bërë që mungesa e Rrahmanit të ndihej më shumë se kurrë”, theksohet më tej.
Analiza vijon: “Së bashku me Lobotkën dhe Hojlundin, ai përbën boshtin e këtij ekipi. Po të ishin në fushë, ndeshja nuk do të merrte këtë drejtim”.
Nga ana tjetër, te Napoli mbizotëron optimizmi për rikthimin e Rrahmanit, i cili pritet të jetë gati për ndeshjen e fundjavës kundër Interit të shtunën.
Qendërmbrojtësi kosovar u lëndua gjatë detyrës me Kombëtaren e Kosovës në muajin shtator, por duket se rikuperimi i tij po ecën mirë dhe Conte shpreson ta ketë gati për sfidën e radhës në Serie A.



