Pas shkarkimit të Tudorit, Juventusi tani do t’i paguajë tre trajnerë deri më 2027
Juventusi shkarkoi sot trajnerin Igor Tudor dhe tani “Bianconerët” do të kërkojnë trajnerin e tyre të tretë të përhershëm që nga vera e vitit 2024.
Në mars të këtij viti, Juventusi u nda me Thiago Mottan dhe emëroi Tudorin për ta zëvendësuar deri në fund të sezonit 2024-25.
Kroati bëri një paraqitje të mirë në fazat përmbyllëse të kampionatit, duke ndihmuar Juventusin të sigurojë një vend në “top katër” në ditën e fundit të sezonit.
Për këtë arsye, dhe pasi disa objektiva alternativë u konsideruan të paarritshëm, Juventusi vendosi t’i ofrojë Tudorit një kontratë të re më 13 qershor 2025.
Pas rinovimit të kontratës së Tudorit, Juventusi aktualisht ka dy trajnerë – Tudor dhe Motta – të cilët do të vazhdojnë të marrin pagë deri në vitin 2027, pasi periudhat e tyre në drejtimin e ekipit përfunduan para kohe.
Kjo përbën një gabim të madh për “Bianconerët”, të cilët, pas emërimit të trajnerit të ri të përhershëm që do të zëvendësojë Tudorin, teknikisht do të kenë në listën e pagave tre trajnerë për dy vitet e ardhshme.
Juventusi ka parë dy tentativa të dështuara me trajnerë relativisht të papërvojë.
Vendimet për të emëruar Mottan dhe Tudorin lindën nga dëshira për të pasur një trajner të ri që do ta udhëhiqte klubin drejt një epoke të artë, por në krahasim me trajnerë si Conte te Napoli apo Gasperini te Roma – dy emra që janë lidhur me Juventusin gjatë vitit të fundit – këto eksperimente kanë nxjerrë në pah mangësi të dukshme./Periskopi/



