Hapen vendvotimet
Në ora 07:00 janë hapur kutitë e votimit në 18 komuna të Kosovës, ku sot do të votohet për kryetarët.
Vendvotimet në të gjitha komunat ku zhvillohet balotazhi do të jenë të hapura deri në 19:00.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 qendra të votimit, me gjithsej 1.648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt.
Ndërsa, për votim me kusht do të jenë 18 qendra, nga një për çdo komunë, me 20 vendvotime, sipas Komisionit Zgjedhor.
Ndërkohë, dje Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë shpërndarjen e materialit zgjedhor për këtë proces.
Komunat ku do të mbahet raundi i dytë janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 12 tetor, ndërsa në këto 18 komuna asnjë kandidatë nuk arriti shumicën e nevojshme në raundin e parë, prandaj procesi po vazhdon në balotazh.
KQZ-ja ka bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe ka bërë edhe planin Operacional për ditën e zgjedhjeve të sotme.
KQZ-ja po ashtu bëri të ditur se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët e vëzhguesit, për raportim të parregullsive dhe për të kërkuar informacione apo udhëzime për procesin e votimit. /Periskopi/



