Arsi Bako është fituesja e Festivalit të Këngës në RTK me këngën “Rreze zjarr”

Arsi Bako është fituesja e Festivalit të Këngës në RTK me këngën “Rreze zjarr”

Këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako, u shpall fituese e çmimit kryesor “Diamanti Blu” në edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK, me këngën “Rreze zjarr”, një krijim me frymë rock që u vlerësua nga juria me pesë anëtarë.

“Nuk e kam pritur, ishte emocion i papërshkrueshëm”, tha Bako pas triumfit, duke përshkruar këngën si motivuese dhe të përshtatshme “për çdo gjendje emocionale”.

Çmimin e dytë e mori Florent Abrashi me këngën “Unë dhe ti”, ndërsa në vend të tretë u rendit Arjeta Palushaj me “Andrra”.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ndau çmimin kryesor, duke e cilësuar festivalin “një kontribut të rëndësishëm për trashëgiminë muzikore kosovare”, raporton telegrafi, transmeton Periskopi.

Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, njoftoi se edicioni i ardhshëm do të mbahet pa subvencion nga Ministria e Kulturës, dhe RTK do ta financojë vetë aktivitetin, duke e bashkuar me rikthimin e “Akordeve të Kosovës.” Ai shtoi se RTK po lobon për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision.Festivali, i mbështetur sivjet me 200 mijë euro, u zhvillua për tri net në “Sallën e djegur” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Gjon’s Tears, Elvana Gjata dhe Tuna. /Periskopi/

Shpërndaje në: