Shqipëri: Nis numërimi i votave, dalin rezultatet e para në të 5 bashkitë, prijnë socialistët
Ka nisur procesi i numërimit të votave në të pesë bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet e parakohshme vendore, ndërsa të dhënat e para tregojnë një epërsi të dukshme të kandidatëve socialistë në të gjitha zonat.
Në Tepelenë, ku për herë të parë po testohet numërimi i votave me ndihmën e Inteligjencës Artificiale paralelisht me procesin manual, janë hapur 4 kuti, ku kryeson kandidati socialist Gramoz Sako me 639 vota, ndërsa kandidati i pavarur Gabriel Guma ka marrë vetëm 96 vota. Sipas të dhënave të KQZ, në Berat, ku janë numëruar 13 kuti, kryeson bindshëm socialisti Ervin Ceca me 1354 vota deri më tani, ndërsa Pavlo Shkarpa. i pavarur, dhe që mbështetet nga PD, ka 265 vota.
Edhe në Cërrik, ku janë hapur 10 kuti, kryeson kandidati socialist Florenc Doka me 1197 vota, ndjekur nga kandidati i pavarur Amarildo Hoxha me 209 vota. Ndërsa kandidati i Shqipëria Bëhet, Eligert Hima ka marrë 160 vota. Në Vlorë, bashkia që shënoi edhe pjesëmarrjen më të ulët, janë hapur 53 kuti, kryeson socialistja Brunilda Mersini me 3565 vota. Dionis Sota, i pavarur që mbështet PD, ka 519 vota ndërsa Gjergji Nika, gjithashtu i pavarur, ka 390 vota.
Në Mat janë hapur kutitë e para, ku gjithaahtu kryeson kandidati socialist Altin Bojni me 585 vota. Kandidati i pavarur që mbështetet nga PD, Eduart Brahilika ka marrë 259 vota. Ndërsa Suzana Pasha, kryetare e Forumit të Gruas në PS, gjithashtu e pavarur, ka vetëm 33 vota.
Në total, vetëm 18.45% nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote hodhën votën në kutitë e votimit në të 5-ta bashkitë. Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25%, dhe Berati me 19.98%. Pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Vlora, bashkia më e madhe në zgjedhjet e kësaj të diele, ku votuan vetëm 12.54 përqind.



