Kurdisja, ‘klauzolë’ e kontratës!
Me pas qenë të gjithë si Granit Kolshi futbollit kosovar nuk do t’ia “nxinin” jetën kurdisjet. Falë tij futbolli kosovar e numëron veç një rast të dënueshëm për kurdisje gjatë këtyre 18 vjetëve të pasluftës, të cilat janë karakterizuar me dhjetëra apo qindra dyshime për kurdisje. Portieri i njohur është i vendosur për t’iu përmbajtur amanetit të babait të tij të ndjerë që asnjëherë të mos bëjë dallavere në futboll. Andaj, sa herë që arrin marrëveshje me ndonjë klub “klauzolë” e vë mospërfshirjen e tij në kurdisje. Madje posa shkon në ndonjë klub për të luajtur Kolshi ua bën me dije se do të dalë për të treguar nëse kurdis ndeshje.
Skandalet që kanë të bëjnë me kurdisje të ndeshjeve e kanë tronditur pa ndërprerë futbollin kosovar gjatë ditëve të fundit. Ato e kanë tronditur jo vetëm komunitetin sportiv, por gjithë opinionin në Kosovë. Kësaj here dyshimet e forta për kurdisje duket se i kanë marrë shumë seriozisht të gjitha institucionet në vend, të cilat e kanë më të lehtë dhe të obligueshme t’i luftojnë, pasi Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Por fenomeni i kurdisjeve e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Madje deri më tani ato “kapërdiheshin” lehtësisht pa bërë jehonë. Nga dhjetëra apo qindra rasteve të dyshuara maksimalisht, vetëm në një rast u patën shqiptuar dënime, përkatësisht në edicionin 2009/2010 te ndeshja Fushë Kosova dhe Ulpiana.
Dhe, krejt ajo ishte bërë falë Granit Kolshit, ish-portierit të Fushë Kosovës, i cili në një kohë të vështirë kishte gjetur guximin për ta denoncuar publikisht kurdisjen e asaj loje në publik e po ashtu në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), pas të cilit të njëjtën gjë e kishin bërë edhe disa lojtarë tjerë dhe trajneri Suad Keçi. Portieri i njohur është i zotuar për të mos qenë asnjëherë pjesë e kurdisjeve.
“Kur pata nisur të merrem me futboll, babai im i ndjerë ishte kundër. Mundohej të më largonte nga futbolli. Por unë vazhdoja. Dhe dikur kur e pa se kam talent u pajtua që unë të merrem me futboll dhe të bëhem portier. Por lejen ma pati dhënë me një kusht. Më pati thënë: ‘Nëse veç njëherë bën ndonjë dallavere, kurdis ndonjë lojë, ti më nuk do të jesh djali im dhe i familjes time’. Prindi im ka ndërruar jetë dhe unë me ditë se milionat i fitoj nga ajo mënyrë nuk e bëj. Me ditë se tërë jetën do të mbes fukara atë kurrë nuk do ta bëj. Jam zotuar që t’i përmbahem amanetit të babait tim”, ka deklaruar Kolshi.
Kolshi ka refuzuar 10 mijë euro për ta lëshuar lojën
Granit Kolshi deklaron se para një kohe kishte refuzuar 10 mijë euro për ta lëshuar një lojë në Ligën e Parë të Kosovës. “Pas atij rasti me Fushë Kosovën pata mbetur pa klub gjashtë muaj.
Pastaj pata shkuar në Feronikel, i cili më besonte se jam i besës dhe se nuk lëshoj lojë. Një klub emrin e të cilit nuk dua ta përmend, në Ligën e Parë, më pati ofruar 10 mijë euro që t’ia lëshojë lojën, që ishte shumë e rëndësishme, edhe atë përmes xhaxhait tim. Por e pata refuzuar kategorikisht me vullnetin tim dhe të xhaxhait tim”, theksonpër “Zërin” ish-portieri i Feronikelit.
“Pastaj, ju kujtohet ndeshja e shumëpërfolur ndërmjet Feronikelit dhe Dritës. Unë nuk di gjë a ka ndodhur diçka a jo. Unë e pata treguar veten si portier, e kam kryer punën time dhe as që më pati interesuar a ka pasur diçka apo jo në atë takim”, thotë portieri i tanishëm i Besës, i cili nuk ka luajtur së fundmi në ndeshjen e shumë të dyshimtë me Trepçës.
“Gjyqtari i famshëm, Bajram Gashi, për arsye banale, pak më herët më pati dhënë karton të kuq dhe jam dënuar me tri ndeshje. Kështu që nuk kam qenë fare në lojën Besa – Trepça dhe nuk di asgjë për atë lojë sepse nuk kam qenë fare as në lojë”, potencoi ai.
“Unë çdo marrëveshje që bëj me klube, këtë e kam bërë edhe me Besën, qysh në fillim u tregoj se unë nuk bëhem pjesë e dallavereve dhe se dal e tregoj nëse kurdiset loja. Lëre në klube të mëdha, por as në klube të vogla të ligave të poshtme Graniti nuk hyn në lojë të lëshuar, të kurdisur. Ndoshta ka ndodhur ndonjëherë që të jem pjesë e ndonjë ndeshjeje të manipuluar, por nuk e kam ditur dhe as që e di as tani se kam qenë. Unë kryesive e trajnerëve në fillim u tregoj se nuk i lëshoj lojërat dhe se dal në medie e tregoj dhe mos më thoni pastaj çka na bëre”, nënvizoi Kolshi.
Ai thotë se ka shumë futbollistë që nuk guxojnë t’i denoncojnë kurdisjet nga frika se mbesin jashtë futbollit, prej të cilit ndoshta mbajnë edhe familje. Por është e bindur se është në interes të lojtarëve t’i denoncojnë sepse ashtu dëshmojnë besnikërinë e tyre dhe klubet kanë qejf të kenë futbollistë besnikë, që nuk ua shesin lojërat.



