Besnik Tahiri: Zgjedhjet Lokale 2025 dëshmojnë se s’kemi mësuar ende nga e kaluara

Besnik Tahiri: Zgjedhjet Lokale 2025 dëshmojnë se s’kemi mësuar ende nga e kaluara

Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me Zgjedhjet Lokale 2025, duke theksuar se vendi po përsërit të njëjtat probleme që i kishte identifikuar tetë vite më parë.

Ai ka renditur disa çështje kryesore që, sipas tij, vazhdojnë të mbesin pa zgjidhje, përfshirë balotazhin që “nuk i shërben askujt”, pjesëmarrjen joreale në votime dhe sistemin e papërshtatshëm të listave të kandidatëve për kuvendet komunale.

Tahiri ka theksuar gjithashtu nevojën për reformë zgjedhore, duke propozuar sisteme alternative si ai preferencial, që shmang balotazhin dhe reflekton më mirë vullnetin qytetar.
Ai ka ngritur shqetësim për nivelin e ulët të edukimit të votuesve, duke theksuar se numri i votave të pavlefshme është tepër i lartë dhe përbën problem serioz për funksionimin e demokracisë vendore.

“Këto janë mësimet që s’po i mësojmë,” ka përfunduar Tahiri.

 

 

Postimi i plotë:

Zgjedhjet Lokale 2025, mësimet që s’po i mësojmë!

E para: Balotazhi nuk i shërben askujt, nga 18 komuna në garë, vetëm në një komunë, Obiliq, ka pasur ndryshim mes të parit dhe të dytit ndërmjet dy raundeve.

E dyta: Dalja në zgjedhje nuk është aspak reale, nëse e krahasojmë me të dhënat e regjistrimit të popullsisë, del se pjesëmarrja “reale” është mbi 90%. Kjo, përveç efektit në vlerësimin e legjitimitetit, po pengon edhe funksionimin e mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejtë.

E treta: Nuk mund të shmanget parimi bazë i demokracisë, shumica prej 50% + 1 votë, por ekzistojnë sisteme si ai preferencial, që e shmangin balotazhin dhe pasqyrojnë më mirë vullnetin e qytetarëve.

E katërta: Lista e kandidatëve për kuvendet komunale, nga bartësi e deri te kufizimi “një person, një votë”, nuk i përgjigjet më sistemit aktual. Bartësi, si rezultat që po shkakton probleme, po duplifikohet nga kandidati për kryetar, ndërsa modeli me një listë po çon në ndryshime radikale, por jo domosdoshmërisht në rritje të cilësisë.

E fundit: Edukimi i votuesve mbetet problematik, numri i votave të pavlefshme në mesatare komunale është rreth 9% e listës së votuesve, që në realitet përfaqëson mbi 20% të trupës reale elektorale, një shifër shqetësuese. Kjo e fundit domosdoshmërisht reflekton edhe në nevojën për debat serioz mbi çdo propozim për sistem të ri, si ai preferencial apo çdo formë tjetër reformimi zgjedhor.

Kjo është çka kam thënë tetë vite më parë!!!

 

Shpërndaje në: