“Do më quajnë tradhtar, do më vrasin” – Hill e Rubin e konfirmojnë insistimin e Thaçit për pavarësi në Rambuje
Derisa po vazhdon dëshmia e amerikanëve në mbrotje të ish-presidentit Hashim Thaçi, dy nga ta deklaruan se nëse Thaçi e pranonte një marrëveshje që në të nuk përfshihej Pavarësia e Kosovës, ai ose do të vritej ose do të konsiderohej tradhtar, shkruan Periskopi.
Sot ka dëshmuar diplomati amerikan Christopher Hill, dhe ai u pyet rreth takimit me Hashim Thaçin në Dayton.
I pyetur nëse Thaçi kishte pranuar propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë takim, Hill nuk hezitoi të thoshte ‘jo’.
“Ai shfaqi simpati për atë që po bënim, ai e kuptoi argumentimin e asaj që po bënim, do të thotë që thjeshtë nuk mund të jepet një propozim vetëm për njërën palë, por shqetësimi i tij ishte që nuk ishte në gjendje, në pozitë, të pranonte një propozim që nuk vinte fjalën pavarësi në dokument me terma të qartë”, deklaroi Hill.
Tutje, Hill shpjegoi pse Thaçi nuk po e pranonte propozimin e ShBA-së në atë kohë.
“Ai e tha këtë në dy raste, se po të kthehej në Kosovë duke pranuar propozimin që nuk përfshinte Pavarësinë e Kosovës, ai do të vritej. Nuk e pyeta më tej, se nga kush, si, apo ku, thjesht e kuptova që ai nuk ishte në pozitë për të thënë ‘po’”, u shpreh diplomati.
Ndërkohë, James Rubin që ishte amerikani i parë që dëshmoi në Hagë pati deklaruar se në kohën e Rambujesë nuk mund të bënin deklarata për pavarësinë e Kosovës, por Thaçi na thoshte që nëse nuk përfshihej fjala pavarësi në marrëveshje do të cilësohej tradhtar.
“Ai (Thaçi) na tha se nuk mund të na thoshte ne ‘po’ pa pasur një deklaratë specifike për Pavarësinë, sepse ai duhej të diskutonte me komandantët e UÇK. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalistë, i donin të gjitha”, tha ai.
“Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë”, shtoi ai.
“Ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si njeri që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit, si tradhtar. Ishte një moment shumë i vështirë”, pati deklaruar Rubin.
Pas Christopher Hill pritet të dëshmoj ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.



