Momenti kur burri i Albulena Haxhiut nxirret jashtë QKN-së në Mitrovicë (video)
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë është ndërprerë procesi i numërimit të votave pas dyshimeve për manipulim dhe keqpërdorim të votave.
Nga objekti janë nxjerrë bashkëshorti i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe persona të tjerë të pranishëm, ndërsa brenda kanë mbetur vetëm ekspertët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tregojnë pamjet që ka ndarë Veriu.info.
Dyshimet për parregullsi lidhen me të ashtuquajturin fenomen “treni bullgar”, pasi zyrtarë të partive politike në QKN kanë evidentuar fletëvotime që nuk përkonin me qendrat e votimit ku ishin dërguar.Lidhur me këtë çështje, janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
KQZ ka deklaruar se fletëvotimet e dyshuara kanë qenë një gabim teknik.
“Pas shqetësimeve të ngritura në opionin lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës së Jugut, KQZ sqaron: Bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit”, ka njoftuar KQZ.



