Ylli i Kosovës nënshkruan kontratë me skuadrën gjermane
Mbrojtësi i majtë i përfaqësueses së Kosovës, Leart Paqarada, të martën e ka vazhduar për tre vjet kontratën me klubin gjerman të Bundesligës 2, Sandhausen.
Kontrata e vjetër i skadonte në fund të edicionit, ndërsa me kontratën e re do të jetë te Sandhauseni deri në verën e vitit 2020, shkruan sot Koha Ditore.
Paqarada më herët këtë edicion ka pasur telashe me aktivizim, ndërsa ka thënë se klubi në këtë mënyrë po i bënte presion për të vazhduar kontratën. Ai fillimisht rezistoi, por tashmë është pajtuar për kontratë të re.
22-vjeçari është paraqitur në dy ndeshjet e fundit, ndërsa prej nëntorit të vitit të kaluar ka munguar në shumicën e ndeshjeve. Ka luajtur në 16 prej 28 ndeshjeve të këtij edicioni.



