Rifillon numërimi i votave në Mitrovicë pas urdhrit të Prokurorisë Themelore
Në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në komunën e Mitrovicës ka rifilluar procesi i numërimit të votave, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që ka urdhëruar vazhdimin e procesit të ndërprerë mbrëmë për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.
“Në orën 16:20 ka filluar procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Qendrën Komunale të Mitrovicës e Jugut. Procesi po zhvillohet në 10 tavolina numërimi.” – njofton KQZ-ja.
Rinumërimi vjen pas plot akuzave të PDK-së lidhur me dyshimet për vjedhje të votave.
Vendimi i Prokurorisë është marrë pas sqarimit zyrtar nga kompania sllovene CETIS, e cila ka printuar fletëvotimet për zgjedhjet komunale në Kosovë. Në njoftimin e saj, kompania ka bërë të ditur se problemi me numrat serikë të ndryshëm ka ndodhur si pasojë e një defekti teknik në njërën nga pllakat e printerit që përdoret për shtypjen e kodit të qendrës së votimit.
“Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte. Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se dy hetues policorë do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së numërimit për të mbikëqyrur procesin dhe për të garantuar transparencë të plotë.
Në procesin e rifilluar të numërimit janë rikthyer edhe numëruesit dhe vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët mbrëmë kishin bojkotuar procesin pas dyshimeve për keqpërdorime të votave.
Në Qendrën Komunale të Numërimit janë të pranishëm edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga PDK, Ilir Gashi dhe Arianit Elshani, si dhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi.



