Prokuroria Speciale jep detaje për aktakuzën ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre të tjerëve: I shkaktuan dëm buxhetit afër 3 milionë euro
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj katër personave, ministres në detyrë Rozeta Hajdari dhe tre të tjerëve, nën dyshime për përfshirje në disa vepra penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Sipas njoftimit, të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Rizvan Muharremi akuzohet për “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton lajmi.net
Hetimet e Prokurorisë kanë zbuluar se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, të pandehurit Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën 2,912,134.78 euro.
Po ashtu, këta të pandehur akuzohen se kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare, duke vënë në dispozicion pa autorizim informacionin për vendndodhjen e rezervave shtetërore, e cila përbën sekret shtetëror sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Ndërkaq, i pandehuri Ridvan Muharremi dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale duke ndërmjetësuar, negociuar drejtpërdrejt dhe rekomanduar operatorë ekonomikë për përfshirje në proceset që lidhen me rezervat shtetërore.
Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit për skandalin me rezervat shtetërore



