Aksident me fatalitet në magjistralen Suharekë-Rahovec, Policia jep detaje
Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në magjistralen Suharekë-Rahovec më saktësisht në fshatin Dobërdelan.
Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion.Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit I.B., mashkull, 71-vjeçar, nga Samadarxha e Suharekës fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka thënë ai.
Bytyqi ka treguar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
“Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit”, ka potencuar Bytyqi.
Sipas tij, Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve./Periskopi



