Latifi: Dikur Serbia përbuzte flamurin dhe identitetin tonë, tash vahabistët shqipfolës

Latifi: Dikur Serbia përbuzte flamurin dhe identitetin tonë, tash vahabistët shqipfolës

Duke marrë shembullin e mësuesit të anglishtes që dëboi nxënësen nga ora e mësimit për shkak të veshjes kombëtare, profesori Blerim Latifi tha se identiteti kombëtar sot po përbuzet nga islamistët ashtu sikur Serbia dikur.

Latifi tha dikur Serbia ishte ajo që e shtypte ndjenjën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa sot këtë rol e kanë marrë, siç i quan ai, ”vahabistët shqipfolës”.

”Dikur ishte Serbia ajo që na i përbuzte dhe përbalte flamurin kuq e zi dhe plisin e bardhë – simbolet që dëshmojnë identitetin tonë të moçëm në këtë tokë. Kur Serbia nuk mundi më ta bënte hapur këtë në Kosovë, u shfaqën vahabët shqipfolës, për ta vazhduar punën e saj me gjuhë tjetër dhe maskë tjetër”, tha profesori.

Ai mori shembull Muhamed Hajredinajn, mësuesin e shkollës ”Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, i cili s’e kishte lejuar vitin e kaluar një nxënëse 11-vjeçare të hyjë në klasë me veshje kombëtare për nder të 28 Nëntorit.

”Ata duken si ky i ashtuquajturi “mësues i anglishtes”, i cili sot po gjykohet për aktin e shëmtuar të hedhjes në kosh të mbeturinave të flamurit tonë kombëtar dhe të plisit të bardhë, që po i mbante me krenari një nxënëse në Ditën e 28 Nëntorit”, deklaroi Latifi.

Në fund, Latifi u shpreh i bindur se Serbia nuk do të kalojë, edhe nëse vjen e maskuar me retorikë fetare dhe me islamizëm të tipit të Hajredinajt

Shpërndaje në: