Andin Lokaj: Shaqiri dhe Xhaka në pjedestal, Foda ka ngritur Kosovën në nivel tjetër

Andin Lokaj: Shaqiri dhe Xhaka në pjedestal, Foda ka ngritur Kosovën në nivel tjetër

Komentatori i sportit, Andin Lokaj, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, i ka vlerësuar Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën si dy nga lojtarët shqiptarë që kanë arritur majat më të larta në futboll.

“Mendoj se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri e kanë arritur atë pjedestal tek të gjithë ata që e flasin shqipen. Trajneri më i mirë? Kemi shumë, por nuk e kanë pasur shansin të dëshmohen. Ka trajnerë të mirë në Kosovë”, ka thënë Lokaj.

Ai e ka vlerësuar me nota të larta edhe trajnerin e Kombëtares së Kosovës në futboll, Franko Foda, duke thënë se është befasuar pozitivisht me angazhimin e tij.

“Padyshim, është në nivel tjetër. Kur kemi emëruar Fodën, ka qenë pak befasuese për mua, sepse nuk ka qenë e lehtë të merret një emër i tillë. Foda është dëshmuar edhe më herët me Austrinë. Ka qenë koha e duhur që Kosova të jetë këtu ku është. Viti i pandemisë na kushtoi shumë, mirëpo kjo është pika më e lartë e Kosovës deri tani, dhe kjo është arritur nga puna e madhe e Fodës, Federatës së Futbollit dhe djemëve të kombëtares”, ka thënë Lokaj.

Lokaj ka pasur fjalë të mira edhe për lojtarët e Superligës së Kosovës që po angazhohen në Kombëtaren e Kosovës, duke theksuar se vendi ka shumë talente që e duan futbollin.

“Ka lojtarë në Superligë, si Dellova, Krasniqi, Albion Rrahmani, që janë ftuar për ndeshje dhe kanë dalë nga futbolli vendor. Por mos të harrojmë se edhe Amir Rrahmani dhe Vedat Muriqi kanë dalë nga Kosova. Si popull jemi të talentuar, e duam futbollin, ndërsa në shtetet e zhvilluara teknologjia ka bërë që të bjerë interesimi për futbollin”, ka thënë Lokaj./Periskopi/

 

Shpërndaje në: