Natë e madhe në Lubljanë, Kosova siguron play-off’in për Botërorin 2026
Kosova ka shënuar një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar në Lubjanë, duke mundur Slloveninë me rezultat 0-2 në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së grupeve në eliminatoret për Kampionatin Botëror.
Me këtë triumf, Dardanët arrijnë në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar matematikisht play-offin, ndërsa grupi kryesohet nga Zvicra me 13 pikë. Sllovenia mbetet në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Suedia mbyll renditjen me vetëm 1 pikë.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën. Vetëm në minutën e 6-të, një pasim fantastik në thellësi nga Mërgim Vojvoda që i shpëtoi plotësisht mbrojtjen sllovene, gjeti të lirë Fisnik Asllanin, i cili me qetësi e dërgoi topin në cepin e poshtëm të portës për rezultatin 0-1.
Kosova e shfrytëzoi menjëherë epërsinë numerike. Në minutën e 63-të, pas një kombinimi të bukur dhe një gjuajtjeje të Muslijës, që u ndal nga Oblak, Dardanët fituan edhe një goditje këndi.
Vetëm një minutë më vonë, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e 64-t, gjatë një aksioni të shpejtë, Muslija harkoi topin drejt zonës së vogël në kërkim të Vojvodës. Mbrojtësi Zan Karnicnik devijoi topin në mënyrë të gabuar dhe e dërgoi në rrjetën e vet – një autogol që çoi rezultatin në 0-2.
Kosova kishte dy mundësi të mira për të shtuar epërsinë, por Veldin Hoxha u ndal nga Oblak, ndërsa Muslija gjuajti bukur, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.
Me këtë triumf, Kosova jo vetëm që e fiton ndeshjen me dominim, por edhe arrin objektivin kryesor të fazës së grupeve: kualifikimin në play-off. Një tjetër hap i madh drejt ëndrrës së Botërorit.



