AKB pas vendimit të Supremes: E zbuloi dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik

AKB pas vendimit të Supremes: E zbuloi dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar Udhëzuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë. Sipas AKB-së, ky vendim e konfirmon qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik.

Sipas deklaratës së AKB-së, ZRRE për vite ka vepruar me akte nënligjore të paqëndrueshme dhe jashtë standardeve evropiane, duke mos kryer analiza të ndikimit ekonomik dhe duke shkaktuar kaos në treg. “Rregullatori ka prodhuar pasiguri juridike dhe ka cenuar drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve, në vend se t’i mbrojë ato”, thuhet në reagim.

AKB e akuzon institucionin rregullator se ka marrë vendime politike dhe jo ekonomike, ndërsa shqetësimet e komunitetit të biznesit janë injoruar vazhdimisht.

Në reagim nuk kursehet as Qeveria, e cila sipas AKB-së mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për lejimin e zbatimit të akteve të paligjshme dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale. “Kjo qasje e rrezikshme e dëmton stabilitetin energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të vendit”, thuhet më tej.

Postimi i plotë:

ZRRE dhe Qeveria dështuan në energji — Gjykata Supreme u detyrua ti korrigjojë gabimet e tyre!
Vendimi i Gjykatës Supreme për ta shpallur të paligjshëm Udhëzuesin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë e zbulon qartë dështimin profesional dhe institucional të ZRRE-së dhe të Qeverisë në menaxhimin e sektorit energjetik.
Ky akt tregon se rregullatori ka vepruar për vite të tëra me akte nënligjore të paqëndrueshme, të hartuara jashtë standardeve evropiane dhe pa asnjë analizë reale të ndikimit ekonomik, duke e futur tregun e energjisë në kaos dhe duke cenuar drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve.
ZRRE ka humbur funksionin e saj bazë,mbrojtjen e interesit publik.Në vend të rregullimit profesonal, ka prodhuar pasiguri juridike, përplasje me legjislacionin dhe mjegullim të kriterieve për kalimin në tregun e lirë. AKB e ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, por është injoruar nga një rregullator dhe qeveri që kanë marrë vendime politike, jo ekonomike.
Qeveria po ashtu mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Lejimi i zbatimit të akteve të paligjshme dhe mungesa totale e mbikëqyrjes profesionale tregojnë për një qasje të rrezikshme që e dëmton stabilitetin e sektorit energjetik dhe kredibilitetin e institucioneve të Kosovës.
AKB kërkon urgjentisht përgjegjësi, rishikim të plotë të politikave energjetike dhe përfshirje të domosdoshme të komunitetit të biznesit në çdo proces rregullator. Kosova nuk mund të zhvillohet ekonomikisht me institucione që gabojnë në dokumentet themelore ligjore dhe që pastaj korrigjohen nga gjykatat tha në fund Agim Shahini kryetar i AKB-ës.

Shpërndaje në: