Trafiku Urban thotë se nga java e ardhshme rrezikohet pezullimi i transportit publik në Prishtinë
“Trafiku Urban” SH.A. ka paralajmëruar sot se shërbimi i transportit publik në kryeqytet rrezikon të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme, për shkak të vështirësive të rënda financiare të shkaktuara nga bllokimi i mjeteve buxhetore.
Në njoftimin e tyre thuhet se kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më tej, thuhet se pavarësisht bilancit pozitiv dhe performancës së qëndrueshme të ndërmarrjes, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt.
Ndër të tjera, Trafiku Urban shton se “mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe apelon për zgjidhje të menjëherëshme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë”.



